Reçica kërkoi mbështetjen e Komisionit Parlamentar për jetësimin e reformës pensionale

Prishtinë, më 25 qershor 2020
Në mbledhjen e sotme të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, ministri Reçica raportoi lidhur me zbatueshmerinë e masave të parapara në Pakon Fiskale Emergjente të miratuar nga Qeveria, për t’u dalë në ndihmë shtresave të varfëra të shoqërisë dhe bizneseve të prekura nga pandemia COVID-19.

Ai i njoftoi anëtarët e Komisionit për të gjithë hapat që ka ndërmarrë MPMS, në funksion të zbatimit të masave të cilat bien në përgjejësinë e ministrisë, konkretisht për masën e parë – pagesën e dyfishtë të vlerës së skemës sociale (për 3 muaj); masën e dytë – pagesën shtesë prej 30 euro në muaj, për të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale, të cilët marrin më pak se 100 euro (për 3 muaj), si dhe masën e pesëmbëdhjetë – pagesën mujore prej 130 euro, për qytetarët e lajmëruar si të papunë dhe që nuk kanë të hyra tjera mujore nga buxheti i shtetit. Reçica nënvizoi se kjo masë ka hasur pak vështirësi në zbatim, jo për fajin e MPMS-së, por kryesisht për arsye teknike.

Në këtë mbledhje të Komisionit, ministri Reçica i njoftoi deputetët edhe për prioritetet e Ministrisë dhe njëkohësisht kërkoi mbështetjen e tyre për realizimin e planit legjislativ nga fusha e punës dhe mirëqenies sociale, me theks të veçantë jetësimin e reformës pensionale.