Publikohen të arriturat e raportit “Mbështetja e BE-së për MPMS-në për decentralizimin e shërbimeve sociale”

Prishtinë 9 shtator 2016

 

Sot është  publikuar raporti 30 mujor mbi rezultatet e projektit të BE-së “Mbështetja e BE-së për MPMS-në në përforcimin e mekanizimit për implementim të decentralizimit të shërbimeve sociale”, projekt ky i përkrahur nga BE, i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementimin e të cilit e ka bërë konsorciumi i udhëhequr nga Qendra për Kujdes të Fëmijëve dhe të Familjes KMOP.

Gjatë konferencës së mbajtur sot, hapjen e të cilës e bëri ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Arban Abrashi, duke falënderuar kështu akterët e Bashkimit Evropian për mbështetjen e parezervë që kanë treguar, ka thënë se me implementimin e këtij projekti të rëndësishëm janë vendosur bazat e standardeve  dhe ngritja e kapaciteteve të burimeve njerëzore në forcimin e shërbimeve sociale dhe familjare.
Abrashi gjatë fjalimit të tij ka përmendur se do vazhdohet me krijimin e infrastrukturës financiare, e cila sipas tij është një ndër sfidat që do të adresohet në vitin që vjen, pasiqë kjo mbetet një nevojë urgjente për të siguruar nivele të qëndrueshme të financimit për shërbime sociale. “Presim një grant prej 2 milionë euro vitin e ardhshëm nga Bashkimi Evropian dhe ne besojmë se me këtë financim do të ketë zhvillim më të madh sa i përket shërbimeve në aspektin social”, ka thënë ndër tjerash ministri Abrashi.

Ndërkaq udhëheqësi i ekipit të projektit të BE-së z. James O’Brien gjatë publikimit të këtyre rezultateve tha se kapaciteti institucional i MPMS-së është përmirësuar me zhvillimin e një baze të re të dhënash të shërbimeve sociale, janë hartuar shtatë lloje të standardeve minimale të cilësisë për shërbime sociale, janë mbajtur programe gjithpërfshirëse të trajnimit në nivel të menaxhimit, duke përmendur kështu afërisht 120 planifikues social, të cilët kanë marrë pjesë në këto programe, përfshirë këtu drejtorë dhe menaxherë nga qeveria qendrore dhe nga të gjitha komunat.

Si rekomandime në fund të takimit përveç nevojës së financimit si çështje urgjente u tha se qendrat për punë sociale duhet të kenë numrin adekuat të punëtorëve socialë, prandaj duhet të ketë një rritje emergjente të burimeve njerëzore dhe në mënyrë graduale të pranohet më shumë personel me kualifikime në punën sociale.