Në kuadër të programit “Kosova e Bukur/2”, sot në prani të udhëheqësve komunal, përfaqësuesve të BE-së, IOM-it dhe të MPMS është bërë përurimi i projektit për rregullimin e shtratit të lumit dhe parkut në fshatin Berivojcë të komunës së Kamenicës.
Sipas zj. Sirije Poder, koordinatore e projekteve në Zyrën e BE-së në Prishtinë, është ky projekti i tretë nga programi “Kosova e Bukur” në komunën e Kamenicës, kurse i 73 në nivel të Kosovës. Për realizimin e këtyre projekteve, BE-ja ka ndarë rreth 7 milionë euro, kurse janë punësuar, për një periudhë të shkurtër kohore, nga zyrat e punësimit të MPMS mbi 4 mijë punëkërkues afatgjatë, ka thënë zj. Poder.
Ndërkaq zv/ministri i MPMS, z. Qazim Rrahmani ka falënderuar BE-në, si donatore, IOM-in si implemetues të projektit dhe kryetarin Kamenicë, z. Begzad Sinani për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme që po ofrojnë për popullin e Kosovës, sidomos në zbutje e papunësisë dhe në krijimin e një ambienti më të mirë për jetesë. Sipas z. Rrahmani në këtë projekt kanë qenë të punësuar 63 persona nga të gjitha komunitetet që kanë qenë të lajmëruar në Zyrën Komunale të Punësimit në Kamenicë.