Një librari, ekip mjekësor, dhomë të ngrënies, kuzhinë e disa gjëra të tjera do të jenë në dispozicion për të moshuarit e komunës së Obiliqit.
Këto të mira, do t’u mundësohen të moshuarve të Obiliqit përmes qendrës rekreative dhe shëndetësore e cila është hapur sot në këtë qytet.
Ky projekt është mundësuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenës Sociale në kuadër të programit të Bashkimit Evropian “Kosova e bukur 2”.
Ky projekt është implementuar gjatë periudhës gusht- shtator të këtij viti dhe ka kushtuar mbi 140 mijë euro, ndërsa sot gjatë përurimit të saj u tha se një qendër e tillë ka qenë shumë e nevojshme për këtë komunë, por që një gjë e tillë duhet të bëhet në të gjitha komunat e Kosovës.
I pranishëm në këtë përurim ishte edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z.Arban Abrashi, i cili tha se ndihet i privilegjuar të merr pjesë në një projekt të tillë si ky.
“Kjo është dita ime e dytë e punës dhe ndihem i privilegjuar të marr pjesë në një projekt si ky. Ky projekti veç kishte arritur efektin e vet edhe unë ndjehem shumë i kënaqur kur po i shoh njerëzit, ndoshta njerëz deri diku të anashkaluar nga kjo shoqëri, që të përfitojnë një objekt si ky, të shoqërohen, t’i diskutojnë problemet dhe të zhvillohen më shumë”, ka thënë ministri Abrashi.
Ndërsa për shefin e Operacioneve në Zyrën e Bashkimit Evropian, Christof Stock, kjo nuk është vetëm një qendër shëndetësore por është një vend ku pensionistët mund të takohen, të shoqërohen dhe të shkëmbejnë biseda mes vete.
“Edhe një herë ju them se jam mëse i kënaqur sepse me kalimin e moshës të gjithë kanë probleme të ndryshme shëndetësore dhe në këtë mënyrë po kemi mundësi të ju ofrojmë një kujdes më të mirë të pensionuarve”, ka shtuar Stock.
Ky objekt gjendët në qendër të qytetit të Obiliqit, dhe përfshinë të gjitha gjërat e nevojshme, ekipin mjekësor, librarinë, dhomën e ngrënies , kuzhinën si dhe oborrin i cili është i rrethuar.