Prej 17 deri më 19 tetor, në Zagreb të Kroacisë po i zhvillon punimet Konferenca e Katërt mbi Dialogun Social në Evropën Jug-lindore, ku Republika e Kosovës është e përfaqësuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, gjegjësisht nga zv/ministri i kësaj ministrie, z. Fatmir Shurdhaj dhe këshilltari politik z. Viktor Mehana.
Dje delegacioni nga Kosova ishte pjesëmarrës në takimin ministror, ku morën pjesë 14 ministra të vendeve të regjionit, ku u diskutua për fushën e dialogut social dhe informalitetin në tregun e punës.
Po ashtu edhe sot kanë vazhduar diskutimet në një tryezë të rrumbullakët, në organizim të Ministrisë së Punës dhe Pensioneve të Kroacisë dhe Fondacionit Fridrich Ebert, në të cilën tryezë janë shkëmbyer mendime dhe përvoja nga 14 shtete, lidhur me proceset e dialogut social.
Pjesëmarrës në këto takime është edhe z. Laszlo Andor, komisionar për punësim, çështje sociale dhe përfshirje në Komisionin Evropian.