Zv/ministri Shurdhaj nderohet me mirënjohje nga ShQIL

Zv/ministri i MPMS-së, z. Fatmir Shurdhaj, ka marrë sot një mirënjohje nga Shoqata Qendrore e Invalidëve të Luftës së UÇK-së.
Z. Enver Krasniqi, sekretar i shoqatës, ka thënë me këtë rast se kontributi i z. Shurdhaj për kategoritë e dala nga lufta, veçmas pas emërimit të tij në postin e zv/ministrit të MPMS-së, ka qenë i jashtëzakonshëm. “Sa herë që ne, si shoqatë, kemi pasur nevojë për mbështetje institucionale, z. Shurdhaj pa hezitim ka ofruar përkrahjen e tij, në çdo kohë dhe rrethanë, prandaj në shenjë mirënjohjeje Shoqata Qendrore e Invalidëve të Luftës nderon z. Shurdhaj me këtë mirënjohje”, ka thënë pos tjerash, z. Krasniqi.
Gjatë takimit që u organizua me këtë rast u tha se MPMS-ja, gjegjësisht angazhimi permanent i z. Shurdhaj ka mundësuar që të ketë rritje të pensioneve për të gjitha kategoritë e luftës së UÇK-së, për çdo vit është organizuar dërgimi i këtyre kategorive për pushim dhe rehabilitim në bregdetin shqiptar dhe banjat rehabilituese në Kosovë, janë ndërtuar objekte banimi për këto kategori gjithandej Republikës së Kosovës, sa herë që është paraqitur nevoja, MPMS-ja pa hezitim ka ndihmuar familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe të tjerat kategori të luftës me artikuj të ndryshëm ushqimor dhe me veshmbathje, veçmas gjatë festave. Një punë mjaftë efikase dhe dobiprurëse për invalidët e luftës është ndërrimi dhe vendosja e protezave për ata që i humbën gjymtyrët e trupit në luftë, proces ky që kryhet jashtë vendit e që mbështetet nga MPMS-ja.
Zëvendësministri Shurdhaj ka thënë se kjo mirënjohje do t’i shërbej si motivacion për t’u angazhuar edhe më tepër për këtë kategori dhe se nuk ka bërë asgjë tjetër veçse ka kryer një obligim moral e ligjor për këto kategori.