Prishtinë, më 07 maj 2019
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Shoqata “Down Syndrome Kosova” nënshkruan sot marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim të aftësimit profesional të të rinjve me sindromën down, në kuadër të implementimit të projektit “Promovimi i Aftësive për Punësim të Personave me Sindromë Down në Kosovë”.
Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica dhe drejtoresha ekzekutive e Shoqatës “Down Syndrome Kosova”, Sebahate Beqiri.
Ministri Reçica tha se MPMS në vazhdimësi është e përkushtuar në ofrimin e mundësive për punësim dhe aftësim profesional për të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuara.
Drejtoresha Beqiri shprehi falënderimet për mbështetjen që MPMS po i jep të rinjve të shoqatës në mënyrë që të kenë qasje në aftësim profesional duke theksuar se aftësimi profesional i të rinjve me sindromën down është shumë i rëndësishëm.
Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar në mes të MPMS-së dhe “Down Syndrome Kosova”, 56 të rinj me sindromën down do të kenë mundësinë të ndjekin trajnim 3 mujor në fushën e aftësimit profesional, në Qendrat e Aftësimit Profesional në Ferizaj, Gjilan, Gjakovë e Pejë.