MPMS rrit përkrahjen për punësim të personave me aftësi të kufizuara dhe punëdhënësit e tyre

Qeveria e Kosovës i ka dhënë sot dritën jeshile iniciativës ligjore të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale(MPMS), që ka për synim krijimin e lehtësirave sa i përket punësueshmërisë së personave me aftësi të kufizuara, si për këtë katëgori, po ashtu edhe për punëdhësit e tyre.

Në mbledhjen e Qeverisë u miratua Projekt-Rregullorja për Lehtësirat Tatimore dhe Doganore për Punëdhënësit që Punësojnë Persona me Aftësi të Kufizuara dhe për Personat me Aftësi të Kufizuara që Ushtrojnë Veprimtari të Pavarur, e cila u paraqit nga ministri i MPMS-së, Skender Reçica.

Para hartimit të kësaj Projekt-Rregullore, nuk ka pasur asnjë akt juridik që rregullon këtë çështje.

Ministri Reçica tha se personat me aftësi të kufizuara meritojnë trajtim të barabartë në fushën e punësimit prandaj nëpërmjet krijimit të bazës ligjore, po përpiqemi të krijojmë sa më shumë lehtësira për këtë kategori dhe punëdhësit njëkohësisht.

“Me miratimin e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për aftësimin, riaftësimin profesional si dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, është krijuar baza ligjore për rregullimin dhe përcaktimin e lehtësirave doganore dhe tatimore të punëdhënësve që punësojnë persona me aftësi të kufizuara, si dhe të personave me aftësi të kufizuara që ushtrojnë veprimtari të pavarur”, tha Reçica.

Në bazë të Projekt-Rregullores së miratuar sot në Qeveri, punëdhënësi i cili punëson persona me aftësi të kufizuara si dhe personi me aftësi të kufizuara që ushtron veprimtari të pavarur, kanë të drejtë për lehtësime doganore dhe tatimore të cilën e realizojnë sipas legjislacionit në fuqi dhe lehtësira specifike tatimore që nënkupton se të gjithë punëdhënësit që punësojnë persona me aftësi të kufizuara janë të liruar nga tatimi në të ardhura personale sipas legjislacionit në fuqi për të ardhurat personale.