Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës diskutoi para deputetëve të kuvendit për një sërë çështjes të rëndësishme.
Në këtë seancë u bë shqyrtimi i parë i Projektligjit për Ndërmarrjet Sociale i cili u mirëprit dhe u miratua në parim nga deputetët e kuvendit.
Ministri falënderoi deputetët për komentet për këtë projektligj.
Ministri Reçica me këtë rast tha se për shkak të implikimit edhe të ministrive të tjera, me akte nënligjore do të specifikohen detyrat dhe përgjegjësitë për secilin sektor që do të kontribuoj në zhvillimin e ndërmarrësisë sociale në Kosovë.
Në seancë ministri foli edhe për kategorizimin e veteranëve të UÇK-së ku tha se shumë shpejt do të fillojë ky proces dhe rrjedhimisht, do të nis edhe kompensimi për këtë kategori.
“MPMS tashmë ka hartuar Draft Rregulloren për funksionimin, përbërjen, organizimin e punës dhe procedurat e procesit për kategorizimin e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila është përcjellë për miratim në qeveri”, tha Reçica.
Ministri njoftoi se miratimi i kësaj rregullore do të bëhet brenda një kohe shumë të shkurtër si dhe njoftoi se MPMS ka planifikuar buxhet të mjaftueshëm për këtë kategori, në projekt buxhetin për vitin 2018.
Çështje tjetër diskutimi ishte edhe kompensimi për kategorinë përfituese për persona paraplegjik dhe tetralegjik, statusi dhe të drejtat e të cilëve rregullohen me Ligjin nr.05/L-067.
“Parashtrimit i kërkesave ka filluar nga data 24.04.2017. MPMS ka përgatitur dhe dërguar propozim vendimin për miratim në qeveri për caktimin e kompensimit të personave paraplegjik dhe tetraplegjik, i cili është miratuar më 27.10.2017 për kompensimin e tyre dhe të kujdestarëve të tyre në vlerë prej 150€ në muaj.
Në vitin 2017 nuk është paraparë buxhet për kompensimin e këtyre personave, mirëpo ministri Reçica njoftoi deputetët se në projekt buxhetin për vitin 2018, MPMS ka planifikuar buxhet të mjaftueshëm për kompensimin e përfituesve të kësaj kategorie.