Ministri Reçica takoi koordinatorin e TIKA Kosova, flasin për intensifikimin e bashkëpunimit

Prishtinë, më 19.06.2020

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, priti në takim koordinatorin e TIKA Kosova, z. Hasan Burak Ceran, me të cilin ka biseduar për intensifikimin e bashkëpunimit në mes MPMS-së dhe TIKA Kosova.

Ministri Reçica nga z. Ceran është njoftuar për projektet që është duke zhvilluar aktualisht TIKA në Kosovë, si ai i ndërtimit të qendrës për personat me autizëm dhe sindrome down, e që është një projekt shumë i nevojshëm për këto kategori të regjionit të  Prishtinës, por edhe të Kosovës në përgjithësi. Gjithashtu, ai theksoi se TIKA ka bashkëpunim të mirë me komunat, por edhe me nivelin qendror dhe nuk i mungon fare përkushtimi për të ndihmuar popullin e Kosovës.

Ministri Reçica shprehi falënderimin e tij për gjithë punën që ka bërë qeveria turke, veçanërisht TIKA, e cila ka mbështetur Kosovën me shumë projekte të nevojshme, si në fushën e arsimit, ekonomisë, por edhe atë sociale.

“Me z. Ceran u dakorduam që të rrisim bashkëpunimin  në mes TIKA dhe MPMS me qëllim që të shikojmë mundësinë për realizimin e projekteve konkrete, të cilat janë në të mirë të të gjithë qytetarëve”, tha ministri i MPMS-së, Skender Recica.