Është mbajtur konferenca mbi “Qëndrueshmërinë dhe Implementimin e Legjislacionit të Harmonizuar për Siguri dhe Shëndet në Punë”, projekt ky i financuar nga Bashkimi Evropian, implementuar nga Archidata, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Në konferencë mori pjesë ministri i MPMS-së, Skender Reçica, i cili falënderoi Zyrën e Bashkimit Evropian për mbështetje të vazhdueshme duke thënë se siguria dhe shëndeti në punë janë bazat e një mirëqenie sociale të punonjësve dhe familjarëve të tyre dhe këtë e fuqizon edhe më shumë përkrahja legjislative, duke marrë praktikat më të mira, gjegjësisht, harmonizimin e legjislacionit të Kosovës me atë të BE-së.
Këtu ministri theksoi se MPMS e ka kuptuar rëndësinë e harmonizimit të legjislacionit andaj edhe ka bashkëpunuar ngushtë me Komisionin Evropian, falë të cilit është mundësuar të kemi një legjislacion të harmonizuar.
Ministri Reçica, duke folur për projektin rreth qëndrueshmërisë dhe implementimit të legjislacionit të harmonizuar nga fusha e kushteve të punës, tha se duhet bërë përpjekje për promovim të qëndrueshmërisë të arritjeve të projektit dhe të angazhohemi për zbatim të mirëfilltë të legjislacionit të ri të harmonizuar me atë të BE-së.
Ministri theksoi vizionin e MPMS-së për ndërtimin e një shoqërie ku mbrojtja sociale dhe gjithëpërfshirja për qytetarët është e siguruar për një jetë me dinjitet ekonomik e social, përfshi kushtet e përshtatshme për punë dhe mundësitë e barabarta për punësim.
Ai foli edhe për rastet e shpeshta të incidenteve në vendin e punës në Kosovë dhe gjithashtu theksoi rëndësinë e zbatimit të rregulloreve që janë pjesë e akteve nënligjore, si nga punëdhënësit ashtu edhe të punëmarrësit.
Kurse, përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Libor Chlad falënderoi ministrin Reçica për angazhimin dhe bashkëpunimin korrekt. Chlad tha se projekti ka për qëllim të kontribuojë në sjelljen praktikave të mira nga BE-ja në përmirësimin e kushteve të punës në Kosovë duke theksuar se siguria dhe shëndeti në punë janë kushte të cilat duhet të përmirësohen nëpërmjet përmirësimit të standardeve të sigurisë dhe implementimit të plotë të legjislacionit në fuqi.