Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale ka pritur sot një delegacion të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale ka pritur sot një delegacion të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, përfshirë këtu analisten për marrëdhënie ndërkombëtare në Departamentin e Punës, Teodora Mladenovic dhe përfaqësuesit e ambasadës amerikane.

Në këtë takim u diskutua lidhur me mbrojtjen e fëmijëve nga trafikimi dhe eliminimi i punës tek fëmijët, në veçanti format e rrezikshme të punës.
Ministri Reçica informoi znj. Mladenovic për situatën dhe veprimet konkrete që janë duke u ndërmarrë lidhur me eliminimin e punëve tek fëmijët. Ai theskoi: ” Projektligji për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve ka kaluar në lexim të parë në Parlament dhe shpresoj, se së shpejti do të jetë në lexim të dytë”. Mirëpo pavarësisht këtij projektligji, MPMS është duke ndërmarrë veprime konkrete me institucionet tjera relevante, për të adresuar këtë problem.

Znj. Mladenovic falënderoi Ministrin Reçica për informacionet e ndara, lidhur me veprimet që po ndërmerren për këtë çështje dhe kërkoi që Projektligji për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve të miratohet në parlament, pasi që është një ligj me rëndësi.

Ajo theksoi se Departamenti i Punës i Shtetit Amerikan është i interesuar të ndihmojë institucionet e Kosovës, lidhur me veprimet e MPMS, me projekte konkrete në adresimin e çështjes së mbrojtjes së fëmijëve nga trafikimi dhe eliminimin e punëve të rënda tek fëmijët.
Ministri Reçica dhe zonja Mladenovic u dakorduan për bashkëpunim të mëtejmë mes MPMS-së dhe State Departamentit Amerikan të Punës.