Është nënshkruar sot marrëveshja për Programin e Praktikës në Punë (PNP) në mes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, kompanive që përfitojnë nga ky program dhe praktikantët të konsideruar si të papunë. Ky program implementohet në kuadër të Programeve Aktive të Tregut të Punës 2 të UNDP-së, Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës dhe Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërrmarrjeve në Kosovë.
Implementimi i këtij projekti do ju mundëson punëkërkuesve të cilët kanë diplomuar brenda periudhës 24 muajshe në institucionet e arsimit të lartë, të ndjekin një praktikë 3 mujore në ndërrmarrjet e sektorit privat me qëllim të përkrahjes së aftësimit dhe praktikës në punë, por edhe një punësimi më afatgjatë dhe më të qëndrueshëm në Kosovë.
Ministri i MPMS-së z. Skender Reçica, ka falenderuar akterët që kanë mbështetur dhe përkrahur projektin në fjalë dhe ka bërë të ditur për të pranishmit se lansimi i këtij programi sot përfshin 200 persona të diplomuar por të papunë, ku pas praktikës që ata do ta bëjnë, mundësitë do të jenë të mëdha që ata të mbesin në punë. “Sot është lajm i mirë për të rinjët e Kosovës që presin të përfitojnë nga ky projekt, sepse ky program ka për qëllim zgjerimin e mundësive për të krijuar vende të reja pune për të rinjët” ka thënë ndër tjera z. Reçica.
Programin e praktikës në punë e mbështetën dhe e përkrahën edhe ministri i MTI-së z. Bajram Hasani dhe zëvendës/përfaqësuesja e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim UNDP në Kosovë znj. Alessandra Roccasalvo të cilët u zotuan se me bashkëpunim të ndërsjelltë do vazhdohet edhe me tutje me programe tjera të cilat do ta ndihmojnë përmirësimin e gjendjes së papunësisë në vendin tonë. Znj. Roccasalvo në fjalimin e saj drejtuar të rinjëve të pranishëm u tha se ajo që është më e rëndësishmja dhe kruciale për të ardhmen e Kosovës aktualisht është drejtimi i duhur drejt avancimit dhe punësimit në sektorin privat.
Në fund u ndan edhe mirënjohje për ato kompani dhe praktikantët të cilët në vazhdimësi kishin treguar sukese dhe korrektësi gjatë implementimit të projektit.
Fjala e Ministrit Reçica
I nderuar Ministër z. Hasani
E nderuara Përfaqësuese e UNDP znj. Alessandra Roccasalvo
Të nderuar të rinjë dhe të reja përfitues të këtij programi, përfaqësues të ndërmarrjeve dhe bizneseve.
Duke ju falenderuar për pjesëmarrjen tuaj në këtë ceremoni më lejoni të theksoj, se në kuadër të angazhimeve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale me përkushtim të madh jemi duke punuar në rritjen e punësimit dhe përmirësimin e punësimit për të rinjtë. Në këtë drejtim jemi duke u përpjekur të realizojmë objektivat tona në kuadër të programit qeverisës, duke mbështetur dhe rritur qasjen e të rinjve në tregun e punës, përmes ofrimit të shërbimeve cilësore të punësimit dhe masave aktive të punësimit, rritjen e punësimit përmes zhvillimit të ndërmarrësisë, harmonizimin e arsimit dhe aftësimit profesional, me kërkesat e tregut të punës, ofrimin e shërbimit të orientimit dhe këshillimit në karrierë dhe ofrimin e praktikës profesionale jashtë shkollës.
Për të adresuar më qartë çështjen e punësimit të të rinjëve, MPMS tashmë ka avancuar në hartimin e Planit të Veprimit për Rritjen e Punësimit të të Rinjëve, plan i cili adreson drejt objektivat për rritjen e punësimit të të rinjëve. Ky plan ka karakter ndër-sektorial dhe për hartimin e këtij plani është angazhuar një grup ndërministror, i përbërë nga përfaqësuesit e ministrive që ndërlidhen me punësim, arsim dhe trajnim dhe besojmë fuqishëm që deri në fund të vitit do të miratohet në qeveri.
Punësimi i të rinjëve tashmë është një obligim i yni dhe karshi agjendës evropiane është vënë në fokus edhe në Programin për Reformë Ekonomike 2018-2020 dhe në strategjinë sektoriale të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Të nderuar të pranishëm,
Dua theksoj se përpos hartimit të strategjive dhe planeve të veprimit, MPMS në kuadër të angazhimit për përmirësimin e punësimit për të rinjtë së bashku me partnerët, lansimin e programit të praktikës në punë e konsideron të rëndësisë së veçantë si për punëkërkuesit po ashtu edhe për punëdhënësit.
Ky program ka për qëllim të mbështes personat e sapo diplomuar të papunësuar, realizohet në bashkëpunim me ndërmarrjet nga sektori privat dhe është duke u bashkëfinancuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë si dhe nga UNDP për çka ju jemi shumë mirënjohës.
Programi Praktikë në Punë (internship), ka për qëllim t’iu jap mundësinë punëkërkuesve të papunësuar, të cilët kanë diplomuar brenda periudhës 24 muajshe në një nga institucionet e arsimit të lartë, që të ndjekin një praktikë 3 mujore në ndërmarrjet e sektorit privat, me qëllim të përkrahjes së aftësimit të praktikës në punë apo edhe punësimit të qëndrueshëm në Kosovë. Programi fokusohet gjithashtu edhe në identifikimin e ndërmarrjeve që kanë potencial të ofrojnë mundësi afatgjate të punësimit.
Përveç përkrahjes në realizimin e praktikës në punë, Programi Praktikë në Punë lehtëson procesin e identifikimit dhe përputhjes së aftësive të punëkërkuesve me kërkesat e kompanive, duke pasur parasysh vështirësitë, me të cilat përballen kompanitë private në gjetjen dhe angazhimin e stafit të aftësuar, që kërkohet për zgjerimin e veprimtarive të tyre afariste.
Në programin praktikë në punë që po e lansojmë sot, aktualisht përfitojnë rreth 200 persona të sapo diplomuar, shumica e të cilëve tashmë vetëm janë sistemuar dhe disa janë në proces të sistemimit në ndërmarrje private dhe kjo është realizuar me angazhimin dhe ndërmjetesimin e zyrave të punësimit.
Duke ju dëshiruar sukses dua të theksoj, se MPMS do të vazhdoj edhe me programe tjera në kuadër të masave aktive të tregut të punës, duke pasur si qëllim kryesor rritjen e punësimit dhe përmirësimin e mirëqenies së të gjithë qytetarëve, që kanë nevojë për mbështetje.
Me këtë rast inkurajojë punëdhënësit e pranishëm por edhe të të tjerët si dhe punëkërkuesit, që t’i bashkëngjiten programeve tona dhe gjithashtu këto programe t’iu rekomandojnë edhe kolegëve, miqëve dhe bashkëpunëtorëve, që të vizitojnë Zyrat e Punësimit në komunen e tyre dhe Qendrat e Aftësimit Profesional në kuadër të regjionit të tyre, sepse vetëm bashkëpunimi dhe bashkëveprimi mund të na shpie në rrugën tonë të përbashkët, në lufimin e papunësisë dhe fuqizimin e bizneseve.
Edhe njëherë uroj të gjithë përfituesit nga ky program dhe dua të siguroj të gjithë të rinjtë dhe të rejat se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim edhe me partnerët vendor e ndërkombëtar me përkushtim do të angazhohet që të gjithë të rinjtë e sapo diplomuar t’u mundësohet praktika në punë dhe punësimi.
Ju faleminderit