Fjala e ministrit Reçica në konferencën e Ditës së Bashkimit Evropian kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore

Tema e sotme e kësaj konference të nderuar është njëra nga temat më të rëndësishme  të shoqërisë njerëzore në përgjithësi, ndaj të cilës as ne nuk kemi qenë e nuk jemi imun.
Ndaj, i nderuar Ministër Sefaj, ju përgëzoj për organizimin e kësaj konference dhe ndjehem i nderuar që jemi bashkë në këtë luftë të madhe për dinjitetin njerëzor.
Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale vërtetë është “Kupola përgjegjëse” për organizimin dhe ofrimin e shërbimeve sociale në vendin tonë, por pa vullnetin e shtetit dhe shoqërisë si tërësi, ne nuk do të ishim ku jemi e nuk kishim arritur të dilnim sot këtu për t’u zotuar krah jush për konsekuencën tone,  për ta bërë njeriun tonë më të sigurtë dhe për ta mbajtur të dinjitetshëm.
Ne, pa asnjë dallim, për të gjithë banorët e Kosovës ofrojmë mundësinë e qasjes së barabartë në shërbimet sociale.
Dikasteri, të cilin unë sot drejtoj, ka bërë një punë të mirë në këtë rrafsh. MPMS ka themeluar “Qendrat për Pune Sociale” në të gjitha komunat e Kosovës. Ky hap, që është njëri ndër bazikët  e jetës sociale, sot është funksional dhe ka një staf profesional për ofrimin e shërbimeve për kategoritë ne nevojë, e që ofrojnë shërbime cilësore.
Këto Qendra për Pune Sociale, bazuar në procesin e decentralizimit, që nga 1 Janari 2009 janë institucione komunale me shërbime të decentralizuara dhe funksionojnë nën mandatin e komunave.
Të nderuar të pranishëm,
sot kemi para vetes një temë jo vetëm me përmasa të dhimbjes njerëzore, por po aq edhe  me peshë ngarkese të ndërgjegjes sonë. Kjo pasojë e rëndë e një sëmundjeje shoqërore duhet të çrrënjoset dhe ne do punojmë fort të gjithë së bashku, duke mbrojtur viktimat dhe duke dënuar krimin.
Për viktimat ne duhet të ofrojmë siguri e kushte rehabilitimi, derisa për krimin drejtësia duhet të thotë fjalën e saj.
Sa i përket mbrojtjes së viktimave të trafikimit, Ministrisë sonë i dalin përgjegjësi të shumta dhe ne jemi këtu për të thënë se detyrat tona si:
•             draftimin e legjislacionit;
•             zhvillimin e politikave;
•             hartimin e standardeve minimale për ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare për viktimat e trafikimit;
•             monitorimin dhe inspektimin e kualitetit te shërbimeve;
•             sigurimin e zbatimit të politikave, legjislacionit dhe minimumin e standardeve për ofrimin e shërbimeve etj. do t’i kemi prioritet të vazhdueshëm deri në mbylljen e kësaj plage të kudo shoqërie sot.
Në kuadër të kësaj, Ministria e Punës dhe Mirëqenies sipas mandatit që ka për mbrojtjen e personave në nevojë sociale, me fokus të veçantë në mbrojtjen e fëmijëve viktima të trafikimit dhe fëmijëve në rrezik për t’u trafikuar, ka në programet e saj edhe mbrojtjen direkte dhe ri-integrimin afatgjatë të tyre, gjithashtu politikat tona sociale parashohin ofrimin e mbrojtjes sociale edhe për të rriturit viktima të trafikimit.
Dikasteri ynë, së bashku me partnerët qeveritar dhe jo qeveritar, punon në avancimin e programeve të mbrojtjes sociale si dhe ndihmon koordinimin e aktiviteteve për mbrojtjen e kësaj kategorie në nevojë sociale për gjatë gjithë sistemit funksional.
Ngase i është kushtuar kujdes, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, është anëtare e Autoritetit Kombëtar, Autoritet i cili kryesohet nga Ministra e Punëve të Brendshme gjegjësisht nga Zyra e Koordinatorit Nacional kundër-trafikimit me qenie njerëzore.
Në kuadër të luftës kundër trafikimit me qenie njerëzore ne Kosovë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka dhënë dhe vazhdon të jap kontributin profesional të saj në hartimin e dokumenteve nacionale dhe trans nacionale për luftimin, parandalimin, mbrojtjen dhe ri-integrimin e viktimave të trafikimit.
Sa i përket mbrojtjes direkte ku përfshihen: shërbimet e strehimit, rehabilitimit dhe trajtimit të kësaj kategorie, MPMS menaxhon strehimoren e përkohshme e të sigurtë. Strehimore, në të cilën strehohen rastet e trafikimit me nivel të lartë dhe të mesëm të rrezikshmërisë.
MPMS gjithashtu zhvillon punë në partneritet edhe me organizata ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, partneritet i cili qon përpara punën e kësaj ministrie në mbrojtjen e viktimave të trafikimit.
Ne, rëndësi të madhe i kushtojmë fuqizimit të bashkëpunimit me sektorin joqeveritar, ku përgjatë këtyre viteve, MPMS mbështet këtë sektor me subvencione për ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare, fëmijëve dhe të rriturve viktima të trafikimit dhe atyre në rrezik për t’u trafikuar.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale zhvillon partneritet me OJQ-të lokale gjegjësisht me OJQ-të që në kuadër të tyre kanë strehimore për strehimin e viktimave të trafikimit. Gjithë këtë partneritet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e ka të konkretizuar në marrëveshjet për mbështetje me subvencione për viktimat e trafikimit dhe marrëveshjet e bashkëpunimit profesional me këto OJQ.
Për të hapur bashkëpunimin dhe për të inkorporuar gjithë kontributorët e vullnetit të mirë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në shkurt të vitit 2013 ka filluar procesin e licencimit të ofruesve të shërbimeve sociale dhe familjare përmes Këshillit të Përgjithshëm për Shërbime Sociale dhe Familjare (KPSHSF).
Procesi i licencimit është paraparë të zhvillohet në tri faza. Në fazën e parë dhe të dytë është bërë licencimi i ofruesve të shërbimeve sociale dhe familjare nga Këshilli i Përgjithshëm për Shërbime Sociale dhe Familjare, kurse ne fazën e tretë ka filluar dhe është duke vazhduar licencimi i Subjekteve Juridike dhe Organizatave Joqeveritare që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare nga ana e Departamentit për Politika Sociale dhe të Familjes( MPMS)
Duke ju falënderuar për mundësinë që ti drejtohem këtij paneli të nderuar, dua edhe njëherë të falënderoj gjithë pararendësit e mi, të cilët kanë bërë një punë kaq të vyer për temën në fjalë.
Në fund, dua t’ju siguroj se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale me përkushtim  do të vazhdoj të punoj ngushtë me të gjitha subjektet në kuadër të luftimit të trafikimit me qenie njerëzore ne Kosove, me theks te veçante ne mbrojtjen e fëmijëve, viktima të trafikimit.
Ju faleminderit!