Sot, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi priti në dy takime të ndara përfaqësuesit e UN Women në Kosovë të udhëhequr nga znj. Flora Macula, Udhëheqëse e Zyrës, si dhe znj. Chrystele Todd anëtare e Iniciativës për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikte pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.
Në takimin me znj. Macula, ministri Abrashi shpjegoi hapat e ndërmarrë deri më tani nga MPMS lidhur me procedurat për njohjen dhe verifikimin e statusit te viktimave të dhunës seksuale gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës. Abrashi i njoftoi për konkursin tashmë të shpallur për anëtarët e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale të cilat do të autorizohen nga Qeveria për trajtimin e aplikacioneve të tyre. Ky proces është afër përmbylljes dhe shumë shpejtë do të themelohet Komisioni Qeveritar. Në këtë takim, ministri Abrashi dhe udhëheqësja e UN Women znj. Macula u pajtuan për një plan të trajnimeve për të gjithë personat e përfshirë në këtë proces kompleks.
Ndërsa në takimin me znj. Todd, ministri Abrashi u njoftua për qëllimin e vizitës së saj në Kosovë dhe ndihmën dhe ekspertizën që Mbretëria e Bashkuar mund t’ia ofrojë Kosovës për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale të luftës. Ministri Abrashi nga ana e tij e njoftoi znj. Todd për hapat e ndërmarrë qënga shpallja e konkursit qeveritar deri te themelimi i Zyrës Përkrahëse administrative që do të asistojë Komisionin Qeveritar në punën e tij.