Prishtinë, më 18 nëntor 2016
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale priti sot në një takim Ambasadorin Italian në Kosovë, Shkëlqesinë e tij Piero Cristoforo Sardi. Ambasadori Sardi duke u falënderuar për pritjen shprehi interesim për pikëpamjet e ministrit Abrashi rreth zhvillimeve në Kosovë.
Ai u interesua posaçërisht për raportin e progresit të KE-së, sfidat dhe të arriturat e tij, qasjen e Qeverisë së Kosovës për t’i adresuar ngecjet si dhe për zhvillimet rreth skemave pensionale për veteranët.
Ministri Abrashi e falënderoi ambasadorin italian për interesimin e tij dhe për ndihmën e Italisë dhënë Kosovës në dy dekadat e fundit. Njëkohësisht ministri Abrashi shpjegoi edhe masat e ndërmarra nga ai dhe MPMS veçanërisht sa i përket masave aktive të tregut të punës për të stimuluar punësimin në përgjithësi si dhe punësimin e shtresave të margjinalizuara në veçanti.
Ministri Abrashi shprehi habinë e tij me mospërfshirjen dhe reflektimin e këtyre masave në raportin e progresit nga KE-ja çfarë do të jepte një pasqyrë më reale të situatës sa i përket punësimit dhe aktiviteteve qeveritare.
Ministri Abrashi dhe Ambasadori Sardi u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e punësimit dhe mirëqenies sociale përmes projekteve konkrete.