Me qëllim të përkrahjes së partnerëve social në procesin e dialogut social, si dhe fuqizimit të aktiviteteve të KES-it, kanë filluar punimet dy-ditore në kuadër të punëtorisë që po mbahet në Durrës, mes datës 26-28 shkurt. Ky takim përkrahet nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS), në kuadër të projektit “Përkrahje Partnerëve Social”.
Në këtë punëtori po marrin pjesë, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Arban Abrashi, Ministri i Shëndetësisë, z. Imet Rrahmani, përfaqësues të Ministrisë e Tregtisë dhe Industrisë, dhe Ministrisë së Financave, dhe Ministrisë Arsimit.
Nga Sindikatat punimet po i përcjellin, Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, z. Haxhi Arifi, nga Oda Ekonomike, z. Parim Bajrami, nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, z. Agim Shahini, si dhe përfaqësues dhe staf mbështetës të këtyre institucioneve.
Partneret social po demonstrojnë përkushtim të thellë, që në kuadër të kësaj punëtorie dy-ditore t’i kontribuojnë planifikimit strategjik në kuadër të Këshillit Ekonomik dhe Social, si dhe të fuqizojnë mbarëvajtjen e dialogut social me qëllim të përmirësimit të gjendjes socio-ekonomike, ku kontribuues parësor janë punëmarrësit dhe punëdhënësit.
Ministri Abrashi theksoi se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe Qeveria e Republikës se Kosovës, janë plotësisht të përkushtuar në përkrahjen e proceseve dhe platformave të cilat I shërbejnë zhvillimit ekonomik si dhe përmirësimit të kushteve socio-ekonomik. Ministri Abrashi vlerësoi se partnerët social kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur, dhe institucionet janë duke parë mundësitë e bashkëpunimit të ngushtë me të gjitha palët në këtë proces.