Nën organizimin e Komunës së Pejës dhe Mbështetjen e Zyrës së BE-së në Kosovë, u përurua restaurimi i Mullirit të Haxhi Zekës dhe hapësirave publike.
Me ftesë të Kryetarit të Komunës së Pejës z. Gazmend Muhaxheri, në cilësinë e organizatorit të inaugurimit të këtyre projekteve, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Arban Abrashi, mori pjesë në këtë përurim, ku, përveç përfaqësuesve të MPMS-së, Komunës së Pejës, Zyrës së BE-së, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të ndërmarrjeve përfituese nga këto dy projekte.
Axhenda e programit të sotëm u karakterizua nga një ecje e organizuar nëpër shtigjet e ndërtuara për ecje dhe një ndalesë në ekspozitën fotografike, për të vazhduar pastaj te Mulliri i Haxhi Zekës të restauruar në kuadër të këtyre dy projekteve.
Ministri Abrashi, gjatë fjalës së tij, mes tjerash, nënvizoi efektin pozitiv multidimensional të këtyre dy projekteve, prej të cilave, përfitues nuk janë vetëm qytetarët e Pejës, në shërbim të të cilëve do të jetë hapësira publike e restauruar si dhe një pjesë e trashëgimisë kulturore, si Mulliri i Haxhi Zekës, por edhe oferta për punësim të përkohshëm për personat e regjistruar në Qendrën për Punësim të Ministrisë së Punës e Mirëqenies Sociale, mes të cilëve edhe persona me aftësi të kufizuara, e përfaqësues të pakicave kombëtare.