Mbahet Konferenca Rajonale mbi kujdesin dhe Zhvillimin e Fëmijërisë së Hershme

Është mbajtur sot dhe po vazhdon të mbahet konferenca rajonale, “Investimi në Kujdesin dhe Zhvillimin gjatë Fëmijërisë së hershme: Faktet, Mundësitë dhe Sfidat”, e organizuar nga organizata “Save dhe Children”, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

Konferenca po synon të ndajë praktikat më të mira mbi rëndësinë e investimit konkret në kujdesin dhe zhvillimin e hershëm të fëmijëve, në mes hartuesve të politikave dhe ofruesve të shërbimeve qendrore dhe lokale.

Në konferencë mori pjesë edhe zëvendësministri i MPMS-së, z.Vesel Makolli, i cili njoftoi të pranishmit se MPMS, në përputhje me përgjegjësitë e saj, ka hartuar infrastrukturën ligjore për mbrojtjen e fëmijëve në gjendje të nevojave sociale, ka hartuar aktet nënligjore për zbatim më të mirë të ligjeve për të realizuar shërbimet sociale, si dhe është duke kompletuar standardet minimale për ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare në Kosovë.

Z. Makolli njoftoi edhe rreth procesit të përbashkët të MPMS-së me Ministrinë e Shëndetësisë, e që është pilot projekti për mbrojtje të nënave dhe fëmijëve deri në moshën 3 vjeçare dhe ofrimin e shërbimeve në shtëpi.

Zëvendësministri Makolli, shprehi gatishmërinë e MPMS-së për bashkëpunim të mëtutjeshëm në fushën e kujdesit dhe zhvillimit të fëmijërisë së hershme nëpërmjet iniciativave, projekteve dhe nismave të ndryshme.