Prishtinë, më 18 shtator 2018
Këshilli Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë sot ka mbajtur takimin e rregullt, ku janë trajtuar çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me sigurinë dhe shëndetin në punë, por edhe për aktivitetet e Këshillit në ditët në vijim. Zëvendësministri Çerkin Dukolli, i cili njëherësh është edhe kryesues i këtij Këshilli, tha se në agjendën e aktiviteteve të KNSSH-së, edhe më tutje angazhimi ynë për rritjen e sigurisë dhe shëndetit në punë mbetet prioritet i parë.
Me këtë rast ai ka inkurajuar Inspektoratin e Punës që të rrisë angazhimet në këtë drejtim, por njëkohësisht ka apeluar edhe te punëdhënësit që të ofrojnë kushte më të mira pune në punishtet e tyre, me theks të veçantë për sektorin e ndërtimtarisë.
Këshilli ka aprovuar njëzëri që të organizohen tri vizita pune në kompani të ndryshme në sektorin publik dhe privat. Po ashtu anëtarët e Këshillit u dakorduan që kah mesi i dhjetorit të organizohet një tryezë me palët e ndryshme të interesit për të debatuar, për sigurinë dhe shëndetin në punë, me qëllimin e vetëm shkëmbimin e ideve dhe përvojave për mbrojtje në punë dhe një siguri sa më efikase në vendet e punës.
Po ashtu sot, u diskutua edhe për iniciativën Këshillit për hartimin e Strategjisë Nacionale, e cila do të adresojë në planin afatgjatë çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë.