Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me Bashkimin Evropian Zyra në Kosovë dhe partnerë tjerë social kanë bërë lansimin e fushatës për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.
Përmes lansimit të kësaj fushate sensibilizuese qëllimi kryesor do të jetë promovimi dhe vetëdijësimi i shoqërisë kosovare mbi legjislacionin rreth sigurisë dhe shëndetit në punë si dhe kushteve e raporteve tjera të punës me impaktin pozitiv në punësim, ka bërë të ditur kështu zv/ministri i Ministrisës së Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Safet Kamberi.
“Në bashkërendim me projektin e asistencës teknike, pra kjo fushatë duke promovuar shumë materiale promovuese, vetëdijësuese, informuese do të ketë vizita nëpër kompani nga sektorë të ndryshëm, broshura, postera, buletinë, qanta tekstili, fletore, debate mediale dhe një konferencë regjionale për t’u përmbyllur në fund të muajit qershor”, tha ndër tjerash zv/ministri Kamberi.
Gjithashtu zv/ministri Kamberi ka përmendur faktin se projekti në fjalë është i financuar nga Bashkimi Evropian, implementuar nga ARCHIDATA dhe kanë qëllim ta ndihmojnë Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale t’a afroj dhe t’a përshtatë legjislacionin e Kosovës në fushën e kushteve të punës me standardet ligjore të BE-së.
Ndërkaq edhe përfaqësuesi i BE-së z. Libor Chlad i cili ishte i pranishëm në këtë event shprehu optimizmin e tij se kjo fushatë sensibilizuese do të jetë një mundësi e madhe për të përmirësuar gjendjen në fushën e sigurisë në punë në mes bizneseve dhe qytetarit.
Përmes kësaj fushate është bërë e ditur për opinionin se tanimë qytetarët në rast të shkeljeve eventuale të të drejtave të tyre në vendin e punës mund të thërrasin në numrin pa pagesë të Inspektoratit të Punës 0800 77577.
Në anën tjetër Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës z. Basri Ibrahimi premtoi se do të intensifikohen veprimet e inspektorëve të punës në teren pasi gjendja e sigurisë në vendin e punës sipas tij nuk është përmirësuar krahasuar me vitin paraprak, duke përmendur kështu numrin e të vdekurve i cili ka shkuar në 7 dhe kjo paraqet një gjendje alarmante për të vepruar.
Në cilësinë e panelistëve ishin edhe ata që nga fillimi kishin dhënë kontributin e tyre në fushën e sigurisë dhe shëndeti në punë ku me ndihmën e të cilëve edhe do të realizohet kjo fushatë si : OEK, BSPK dhe OJQ “KOSHA”.
Me hapjen e kësaj fushate në sheshin Nënë Tereza është hapur edhe ekspozita apo punimet në pikturë me temën “Siguria dhe Shëndeti në Punë”.
Eventi u mbajt në hapësirat e Qendrës informative dhe Kulturore të BE-së.