Ndjehem i privilegjuar që në këtë mandat më është besuar udhëheqja e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, si një nga dikasteret më të rëndësishme në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
E them këtë, sepse kjo Ministri konform mandatit që ka, përkujdeset në mënyrë gjithëpërfshirëse për shtresat më të ndjeshme të shoqërisë sonë.
Meqenëse papunësia është një nga problemet më të mëdha në vendin tonë, në Strategjinë Sektoriale për Punësim i është kushtuar një vëmendje e posaçme këtij problemi. Ky dokument të cilin po e sjellim para jush, synon t’u përgjigjet më së miri prioriteteve të Qeverisë, duke konsideruar punësimin si shtyllën kryesore të mirëqenies sociale.
Për dallim nga dokumentet e mëhershme, kjo strategji ofron një qasje të re, ku rëndësi prioritare ka jo vetëm rritja e punësimit përmes masave aktive të punësimit, por fokusi është edhe aftësimi profesional i të rinjve, vetëpunësimi dhe punësimi i një anëtari të familjeve të cilët nuk kanë asnjë të punësuar. Gjithashtu, Strategjia Sektoriale e Punësimit mbështetet në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017- 2021, përkatësisht në Komponentin për Zhvillim Ekonomik dhe Punësim, si dhe në objektivat e përcaktuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Kjo strategji përveç zotimeve politike të Qeverisë për procesin e integrimit në strukturat e BE-së dhe nismat rajonale, përfshin edhe detyrat e përgjithshme që dalin nga Strategjia Kombëtare për Integrim Evropian 2020.
Në këtë perspektivë, zotimet tona do të shkojnë konform Planit për Veprim Konkret për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe detyrave që ndërlidhen me ‘Kapitullin 19’ të Acquis për Politikat Sociale dhe Punësimin.
Po ashtu, ky dokument bazohet edhe në: Agjendën për Reforma Evropiane (ARE), Programin e Reformave Ekonomike 2016-1018, Strategjinë e Evropës Juglindore 2020 të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) dhe Udhërrëfyesin për Zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2016 – 2021.
Strategjia Sektoriale e Punësimit është bazuar në konsultime e debate intensive brenda MPMS-së dhe me të gjitha palët e tjerat të interesit, prandaj me kënaqësi konstatoj se sky dokument, sjell para jush standardet dhe praktikat më të mira në përmbushjen e synimeve tona afatgjata.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e perceptuar në opinion si Ministri e skemave sociale, do t’i përmbahet mandatit të saj, duke bindur opinionin se është Ministri e punësimit dhe e mirëqenies së vërtetë sociale.
Duke ju falënderuar për punën e mirë profesionale, ju përshëndes dhe ju uroj suksese në jetësimin e këtij dokumenti.
Skender Reçica,
Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale
Download