Prishtinë, më 24 dhjetor 2015
Sot Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale të Prishtinës dhe Shoqatën Humanitare dhe Bamirëse “Nëna Terezë” filloi shpërndarjen falas të druve për ngrohje për familjet më të varfra të Prishtinës. Përkrahja për këto familje erdhi pas kërkesës së ShHB “Nëna Terezë“ për ndihmë për familjet më në nevojë, kërkesë së cilës MPMS iu përgjigj pozitivisht me një donacion prej nëntë mijë (9,000) eurosh. Ky donacion mundëson dhënien e nga dy metrave kub dru për 100 familje të Prishtinës për t’iu ndihmuar sadopak që të përballojnë të ftohtin e stinës.
Listat e familjeve të varfra dhe më në nevojë u përgatitën nga Qendra për Punë Sociale e Prishtinës, si institucioni relevant që disponon me këto të dhëna për kryeqytetin. Në këto 100 familje janë përfshirë edhe dhjetë familje të dëshmorëve të luftës së UÇK-së, si dhe disa familje të komuniteteve pakicë.
Me këtë rast ministri Abrashi deklaroi se, “krahas politikave për ngritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës dhe rritjes së punësimit, MPMS do të vazhdojë edhe me intervenime të natyrës humanitare për të ndihmuar sadopak në lehtësimin e kushteve të rënda të jetesës për një numër jo të vogël të qytetarëve tanë“.