Podgoricë, 7 dhjetor 2015
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, u takua sot në Podgoricë me ministren e Punës dhe Mirëqenies Sociale të Malit të Zi, Zorica Kovaçeviq.
Gjatë takimit, u bisedua për shkëmbimin e përvojave në fushën e shpërndarjes së asistencës sociale, për kriteret e shpërndarjes, të cilat targetojnë familjet që kanë nevojë për asistencë, mundësitë e punësimit sezonal, rregullimin dhe funksionimin e Këshillit Ekonomik e Social si dhe për aspektet që lidhen me pensionet.
Ministri Abrashi e njoftoi homologen malaziase për punën që po bëhet në Kosovë në rritjen e punësimit dhe avancimin e mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës, duke theksuar projektet që po realizohen, të cilat tashmë kanë filluar të japin rezultate konkrete. “Punësimi përmes zhvillimit ekonomik dhe rritja e mirëqenies sociale janë prioritete qendrore të Qeverisë së Kosovës, në të cilat po punohet me përkushtim maksimal”, tha ministri Abrashi gjatë takimit.
Ministri i MPMS-së, Arban Abrashi, foli edhe për vendimet e koordinuara edhe me FMN-në për rritje të konsiderueshme të pensioneve dhe të asistencës sociale, të cilat, siç u shpreh ai, po ndikojnë pozitivisht në përmirësimin e jetës së pensionistëve dhe përfituesve të asistencës sociale.
Ministrja Kovaçeviq foli për progresin e Malit të Zi në këto drejtime, duke vlerësuar orientimin dhe të arriturat e Kosovës në përmirësimin e jetës së qytetarëve.