Erfurt, 03 shtator 2015- Në kuadër të vizitës që po i bënë institucioneve gjermane të punësimit, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Z. Arban Abrashi dhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike Industriale të Thuringen-it, u dakorduan për inicimin e pilot projektit për aftësimin e disa të rinjve nga Kosova, në kompanitë industriale në këtë Land. Pilot projekti pritet t’i hapë rrugë dërgimit të një kontingjenti më të madh të të rinjve në të ardhmen.
Abrashi i informoi përfaqësuesit e Odës Ekonomike Industriale të Thuringeni-it, që të rinjtë nga Kosova kanë potencial, prirje, motivacion dhe shkathtësi të mëdha në teknologji, në mësim të gjuhëve dhe shkëmbime kulturore dhe mu për këto përparësi, përvoja në kompanitë Gjermane do të kthehet në një investim të mirë të përbashkët për të ardhmen e tyre dhe të Kosovës.
Gjatë kësaj vizite, Ministri Abrashi në Berlin takoi Sekretarin Shtetëror të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Z. Jörg Asmussen, përfaqësues të Odës Federale Artizanale dhe përfaqësues të institucione tjera, me të cilët diskutoi format dhe mundësitë e konkretizimit të bashkëpunimit në aftësimin profesional dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale, që do të shpinin në përgatitjen e një fuqie punëtore të shkathët, të kualifikuar dhe produktive në Kosovë.