Prishtinë, më 12 korrik 2018
Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin Dukolli, sot mori pjesë në prezantimin e ‘Raportit mbi standardin e jetës së të moshuarve të Kosovës’, i hulumtuar nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet.
Hulumtimi i IKS-së, ka shfaqur statusin aktual të të moshuarve në shumë aspekte, përfshirë pensionet, politikat shëndetësore dhe shërbimet sociale. Sipas këtij hulumtimi, del se kujdesi i shoqërisë kosovare për të moshuarit ka ende shumë për të bërë. Ngase sipas hulumtimit po del që pensionistët janë paksa të shpërfillur qoftë në aspektin institucional, qoftë me statusin e tyre në shoqëri, apo me politikat të favorshme sociale.
Zëvendësministri Dukolli tha se shoqëritë e trajtojnë çështjen e të moshuarve sipas ligjeve specifike. “Tek ne kjo çështje trajtohet përmes Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare i cili përcakton rolin dhe përgjegjësitë në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare të nivelit qendror, të nivelit lokal si dhe përcakton rolin e sektorit joqeveritar në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare”.
Zëvendësministri Dukolli, ka nënvizuar se nga sistemi pensional kemi dy skema që mbulojnë këtë kategori: pensioni i pleqërisë me pagesë prej 75 euro në muaj dhe pensionet kontribut-dhënëse, me bazë prej 158 euro e tutje, varësisht nga niveli i arsimimit që posedon, që në total janë mbi 165.000 përfitues.
Ai përmendi shërbimin shëndetësor publik që jepet falas, strehimin e një numri të konsiderueshëm nëpër shtëpi të pleqve dhe atyre me bazë në komunitet, si dhe një varg shërbimesh tjera që ofrohen nga shteti.
Zëvendësministri Dukolli ka potencuar angazhimin dhe punën e mirë që po bën MPMS në ndryshimin e legjislacionit aktual, përfshirë koncept-dokumentin për rregullimin e sistemin pensional në Kosovë, projektligjin e punës, projekt-ligjin për pushimin e lehonisë dhe atë prindëror, si dhe koncept-dokumentin për rregullimin e shërbimeve sociale dhe familjare.
Ai vlerësoi raportin e IKS-së, si një raport i mirë dhe gjithëpërfshirës. “Përfundimisht një raport i mirë, mjaft kredibil, për të cilin e përgëzoj IKS-në, e në veçanti hulumtuesen. Megjithatë në disa segmente të raportit, Dukolli pati edhe vërejtje. “Për shembull në pjesën se, “a është shteti aktiv në kujdesin për të moshuarit- 94 % besojnë se shteti ka përgjegjësi për ta dhe 69% mendojnë se shteti nuk po e kryen punën e tij, mendoj që këtu mostra prej 600 respondentëve, kundrejt 165.000 përfituesve nga dy skemat pensionale, mendoj se nuk e ofron një pasqyre reale”, tha zëvendësministri Dukolli.
Ne si MPMS sigurojmë, angazhimin dhe bashkpunimin tonë brenda kapaciteteve ligjore me të gjithë ata aktorë që kanë iniciativa për ngritjen e e nivelit të jetesës dhe ofrimin e kushteve më të mira për të gjithë të moshuarit në vendë.
“Krejt në fund, unë në kapacitetin zyrtar shtetëror, por edhe në atë njerëzor ngase edhe ne po vijmë drejtë një moshe të mesme uroj të gjithë të moshuarit nëna dhe baballarët tanë që këtë pjesë të jetës ta kalojnë sa më dinjitetshëm, siç edhe e meritojnë”, tha ai.