Reçica diskuton rreth projektit për angazhimin e të rinjve me Bankën Botërore

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica zhvilloi sot një takim më përfaqësues të Bankës Botërore, të kryesuar nga Marco Mantovanelli, menaxher i Bankës Botërore për Kosovë.

Temë diskutimi ishte projekti i Bankës Botërore, “Përfshirja e të Rinjve dhe Ndërmarrësia”. Z.Mantovelli tha se, nëpërmjet këtij projekti synohet të arrihet një përfshirje më e madhe sociale në nivelin lokal, me theks të veçantë punësimi i të rinjve të komunave të ndryshme në Kosovë.

Ai kërkoi bashkëpunim nga ministri Reçica për jetësimin e këtij projekti, për çka mori garancën e plotë nga ministri për mbështetje dhe ndërveprim.

Ministri Reçica e vlerësoi këtë projekt si shumë të rëndësishëm, marrë për bazë faktin se synon të përfshijë të rinjtë në punësim dhe me këtë rast ofroi mbështetjen e plotë të MPMS-së për bashkëpunim me Bankën Botërore për projektin në fjalë.