Abrashi vizitoi sot Komunën e Skenderajt

Skenderaj, më 20 janar 2017

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, sot është pritur nga u.d. i kryetarit të komunës së Skenderajt, Fadil Nura. Ata diskutuan për mbarëvajtjen e aksionit të MPMS- së për shpërndarjen e pakove me veshmbathje për familjet në asistencë sociale, ku përfitues i kësaj ndihme modeste janë 120 familje nga komuna e Skenderajt.

Ministri Abrashi dhe z. Nura, kanë biseduar për bashkëpunimin e mirë të pushtetit lokal dhe atij qendror. Z.Abrashi është shprehur se ndihma e MPMS-së, nuk do të mungojë dhe kjo do të pasurohet edhe me projekte tjera në të ardhmen, ku prioriteti numër një i ministrisë mbetet punësimi. “Në këto ditë të ftohta dimri kemi menduar se këto ndihma modeste në veshmbathje do të lehtësojnë sadopak nevojat e familjeve në asistencë sociale, ndërsa në të ardhmen do të mendojmë për projekte më kreative për ta reduktuar sa më shumë varfërinë edhe në Skenderaj”, ka thënë Abrashi.

U.d. së kryetarit të komunës së Skenderajt, Fadil Nura, e ka falënderuar ministrin Abrashi për këtë aksion, duke apeluar tek ai që sipas mundësive vëmendja e MPMS-së të përqendrohet më shumë, duke pasur parasysh gjendjen e rëndë dhe varfërinë e theksuar në Komunën e Skenderajt.

Deri në fund të këtij aksioni do të përfitojnë mbi 3000 familje në asistencë sociale anembanë Kosovës.