Abrashi priti udhëheqësit e Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së

Prishtinë, më 31 janar 2017

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, priti në takim Fadil Shurdhaj, kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe  Enver Krasniqi, sekretar i shoqatës.

Gjatë këtij takimi ministri Abrashi dhe z. Shurdhaj, biseduan lidhur me punën dhe nevojat e shoqatës për vitin 2017, përkatësisht për punën e Komisionit për veteranët invalidë nga të gjitha zonat e Kosovës  dhe vazhdimin e implementimit të projektit për protezat e invalidëve të luftës, i aprovuar në fundvitin e kaluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Ministri Abrashi, theksoi që pas konsultimeve dhe pas kompletimit të listave nga Komisioni, Ministria e Punës dhe Mirëqenies do të hapë procedurat për aplikim për shqyrtimin e shkallës së invaliditetit për secilin veteran invalid, sipas aplikimit të tyre bazuar në procedurat e parapara për aplikim në skemën e pensioneve dhe beneficioneve të përcaktuara me ligj.

Sipas diskutimeve mes ministrit Abrashi dhe kryetarit Shurdhaj, kompletimi dhe përfundimi i listës së veteranëve invalidë të luftës së UÇK-së pritet të përfundojë shumë shpejt dhe pas kësaj ministria obligohet të kryejë obligimet ligjore.