Abrashi: Modeli dual i aftësimit profesional, mundësi e mirë e punësimit të të rinjve në Kosovë

Dortmund, 07 dhjetor 2016

Me ftesë të Odës Zejtare të Dortmundit, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Arban Abrashi dhe kryetari Odës Ekonomike të Kosovës, z. Safet Gërxhaliu po vizitojnë këtë institucion të rëndësishëm për fushën e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Gjatë kësaj vizite, ministri Abrashi diskutoi me përfaqësuesit e këtij institucioni për projektin “Akademia e Ndërmarrësisë”, përmes të cilit Oda Zejtare e Dortmundit në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës, po bartin përvojen e ndërmarrësisë gjermane në Kosovë, e ku Ministria e Punës dhe Mirëqenies dhe Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë janë anëtare të bordit drejtues.

Në kuadër të agjendës së vizitës së ministrit Abrashi, partnerët e projektit “Akademia e Ndërmarrësisë”, Oda Zejtare e Dortmundit dhe Oda Ekonomike e Kosovës, raportuan mbi aktivitetet e zhvilluara gjatë këtyre viteve, me theks ngritjen e kapaciteve të ndërmarrjeve të Kosovës në fushën e të bërit biznes. Me këtë rast u vlerësua që trajnimet dhe këshillimet dhënë bizneseve kosovare, përpos se i kanë shërbyer ngritjes së kapaciteteve të tyre, i kanë shërbyer edhe rrjetëzimit mes bizneseve të dy vendeve.

Ministri Abrashi shprehu interesimin për vazhdimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit, në funksion të trajnimit dhe aftësimit të ndërmarrësve në Kosovë, si dhe premtoi angazhimin e tij në funksion të eksplorimit të mundësive.