Vjenë, 25 tetor 2017
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Skender Reçica, së bashku me bashkëpunëtorë dhe ambasadorin e Kosovës në Vjenë z. Sami Ukelli, u takua me përfaqësues të Ministrisë së Punës Mirëqenies Sociale dhe Mbrojtje të Konsumatorit në Vjenë të Austrisë dhe Udhëheqësin e Qendrës Evropiane për hulumtim dhe politika të mirëqenies sociale. Me këtë rast ministri Reçica falënderoi përfaqësueit për mikpritjen e ngrohtë dhe për gjithë ndihmën që ka dhënë shteti i Austrisë në zhvillimin dhe demokratizimin e shtetit të Kosovës.
Ministri Reçica e njoftoi përfaqësusit e Ministrisë për situatën në Kosovë, planin qeverisës dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës. Ai u përqendrua në situatën sociale të qytetarëve të Kosovës dhe masat të cilat është duke i ndërmarrë qeveria e Kosovës për të përmirësuar mirëqenies sociale të tyre.
Ministria ka hartuar strategjinë sektoriale dhe planin e veprimit, si dhe planin e veprimit për të rinjtë në fushën e punësimit dhe theksoi se fokusi i qeverisë është që të ulë numrin e përfituesve të asistencës sociale, duke punësuar përfitues nga kjo kategori dhe gjithashtu të rrisë punësimin e të rinjëve dhe grave, qoftë përmes vetëpunësimit, ndërmarrësisë dhe masave aktive të tregut të punës.
Ministri Reçica kërkoi nga bashkëbiseduesit që të fillojnë negociatat për marrëveshjen për sigurimet sociale në mes të Kosovës dhe Austrisë. Me këtë rast, ministri, u zotua se do të përmbushë obligimet e dakorduara mes palëve.
Përfaqësuesit austriakë e njoftuan ministrin edhe për mundësitë e bashkëpunimit në mes të shtetit të Kosovës dhe Austrisë dhe mundësitë e punësimit sezonal të qytetarëve të Kosovës, në fushën e agrokulturës dhe turzimit.
Palët në këtë takim u dakorduan për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e politikave sociale dhe ndihmën e shtetit austriak për ngritjen e mirëqenies dhe rritjen e punësimit në Kosovë.