7 prill 2015- Nga sot është hapur fushata sensibilizuese “Siguria dhe shëndeti në punë dhe puna formale”, fushatë e cila ka për qëllim vetëdijesimin e ndërmarrjeve për përmirësimin e kushteve të punës. Pjesëmarrës në hapje të kësaj fushate ishin Ministri i MPMS-së z. Arban Abrashi, Basri Ibrahimi- Kryeinspektor i TEIP dhe përfaqësues nga BSPK-ja, OEK-u, AKB-ja, dhe OEA. Me këtë rast Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Arban Abrashi falënderoi të pranishmit, duke theksuar që ideja e kësaj fushate është të përmirësohen raportet në mes punëdhënësve dhe punëmarrësve me theks të veçantë në përmirësimin e kushteve të të punësuarve.
Të përfshirë në këtë fushatë janë të gjithë partnerët social, me çrast kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, z. Basri Ibrahimi ka thënë se fushata një mujore ka për qëllim vetëdijesimin e punëdhënësve që të ofrojnë një ambient më të sigurt për punëtorët, por edhe njëherë potencoi faktin se nuk është ithtarë i gjobitjeve ndaj bizneseve, por të bëhet më shumë rreth vetëdijesimit dhe informimit të punëdhënësve për obligimet që ata kanë ndaj të drejtave dhe obligimeve që përcakton Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë. Kjo fushatë e cila është organizuar nga Kryeinspektorati i Punës në bashkëpunim edhe me Bashkimin Evropian do të zgjatë gjatë tërë muajit prill dhe do të transmetohet 30 ditë rresht në spote televizive.