03 Prill 2015- Me qëllim diskutimin e temave të përkrahjes sociale, me theks përkrahjen e grupeve të cenuara, sot në Tiranë Zv. Ministrja e MPMS-së, Rita Hajzeraj-Beqaj takoi, në Tiranë, homologen e saj, Zv. ministren Bardhyla Kospiri. Në këtë takim, Znj. Hajzeraj-Beqaj theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave në fushën e mirëqenies dhe përkrahjes sociale mes dy vendeve. Në këtë kuadër, u diskutua mbi modelin e ofrimit të përkrahjes ekonomike në Shqipëri, me qëllim që në të ardhmën Kosova të mund të aplikojë një përkrahje të ngjashme ekonomike.
Në këtë takim u vlerësua se ofrimi i ndihmës ekonomike kërkon informacion të hollësishëm mbi gjendjen e familjeve dhe aplikuesve, por që shpesh është e vështirë të gjenerohen informacione të tilla. Si përfundim, u konstatua që me përkrahje të institucioneve të specializuara sikurse Banka Botërore, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Kosovë do të mund të angazhohej në modernizimin dhe digjitalizimin e skemës së përfitimeve sociale. Sipas Znj. Hajzeraj-Beqaj, angazhimi më i fuqishëm në këtë aspekt do të targetonte më mirë familjet dhe qytetarët që kanë nevojë, si dhe do të minimizonte potencialin për keq menaxhim të mjeteve të dedikuara për grupet dhe qytetarët në nevojë.