Premtohet bashkëpunim i ndërsjellë në fushën e legjislacionit në kuadër të një vizite zyrtare që znj. Hajzeraj Beqaj po zhvillon me autoritetet holandeze. Gjatë kësaj vizite znj. Hajzeraj – Beqaj ka takuar ministrin e drejtësisë dhe sigurisë z. Ard Van der Steur, me të cilin u dakorduan për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve në fushën e legjislacionit dhe harmonizimin e direktivave të BE-së.
Dakordimi konkret u arrit në shkëmbimin e përvojave teknike dhe ekspertizës profesionale në mes dy grupeve ekspertësh nga të dyja vendet lidhur me hartimin e draftit të ri të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.
Zv/ministrja Hajzeraj Beqaj, fillimisht ka falënderuar zyrtarët e lartë holandezë për ndihmën dhe mbështetjen që ky shtet ka treguar për proceset nëpër të cilat Kosova ka kaluar dhe është zotuar njëkohësisht se vazhdimi i punës për forcimin e një sistemi më të fuqishëm dhe më të drejtë në mbrojtje të fëmijëve do të intensifikohet edhe më tej në të ardhmen.
Ndërsa nga ana e zyrtarëve holandezë të cilët kanë përshëndetur këtë fillim pozitiv të punimeve, janë shprehur të gatshëm se do të bashkëpunojnë ngushtë me ekspertët kosovarë edhe në të ardhmen në çështje të ndryshme të legjislacionit që mbulojnë sferën sociale.
Nga delegacioni kosovar, të pranishëm ishin edhe drejtori i zyrës ligjore të kryeministrit z. Besim Kajtazi dhe z. Abit Hajredini, drejtor i zyrës për qeverisje të mirë.