Me qëllim të rehabilitimit të invalidëve të luftës së UÇK-së, veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve, Qeveria e Republikës se Kosovës edhe për vitin 2014 ka ndarë një shumë të konsiderueshme mjetesh.
Aktualisht, në bregdetin shqiptar, në Durrës po qëndrojnë familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës së UÇK-së. Për t’u njohur me kushtet e akomodimit dhe gjendjen e tyre, zv./ministri i MPMS-së, Fatmir Shurdhaj dhe këshilltari i kësaj ministrie, Viktor Mehana, vizituan këtë kategori pushuesish që po qëndrojnë për pushim dhe rehabilitim në plazhin e Durrësit në Shqipëri.
Zv.Shurdhaj u njoftua nga afër me kushtet e pritjes në hotel ku ata janë vendosur. Ai tha se këto kategori të dala nga lufta meritojnë respekt të veçantë, duke shtuar se kjo përkujdesje do të vazhdojë edhe në të ardhmen pasi këto kategori meritojnë trajtim të dinjitetshëm.
Familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës së UÇK-së u shprehën të kënaqur dhe të nderuar me vizitën që iu bëri Shurdhaj dhe shprehën falënderim të veçantë për kujdesin që po tregojnë institucionet e vendit ndaj tyre.