Prishtinë, më 19 dhjetor 2017
Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Vesel Makolli, mori pjesë në konferencën e organizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) me temën, ”Ndryshimi i paradigmës, barazi përmes lejes prindërore”. Në këtë konferencë janë trajtuar politikat aktuale vendore në kujdesin prindëror ndaj fëmijës dhe koordinimi i jetës profesionale dhe asaj private, në zhvillimin kualitativ psikosocial të fëmijëve.
Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Vesel Makolli, me këtë rast tha se në jetën e njeriut të sotëm janë bërë ndryshime të mëdha duke avancuar kualitetin e të jetuarit, por tani është imediate që të ndërrojë edhe paradigma shoqërore, sa i përket ndarjes së roleve të barabarta në formimin dhe edukimin e brezave të rinj. Makolli ka shtuar se ” leja prindërore” si koncept është e përfshirë edhe në Ligjin aktual të Punës, por aplikimi nuk është ende i kënaqshëm.
“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me faktorët tjerë relevant, është duke përgatitur Ligjin e ri të punës, në harmoni me legjislacionin e BE-së, në veçanti pjesën e ‘lejes prindërore’, në të cilin do të përfshihet koncepti i pushimit prindëror, analog me normativat ligjore të BE-së. Sipas planeve dhe dinamikës së punës së Qeverisë, ky ligj do të aprovohet në fund të qershorit 2018”, tha zëvendësministri Makolli.
Ai ka shtuar se nuk mjafton vetëm pjesa normative e shkruar, por për zhvillimin e personalitetit të fëmijës, paralelisht me shërbimet shëndetësore dhe arsimimin, është më se e nevojshme një atmosferë harmonie, mirëkuptimi e lumturie edhe nga prindërit.
Të gjeturat e prezantuara nga Instituti D4D, tregojnë se në Kosovë, përveç disproporcionalitetit në punësim mes grave dhe burrave, ndarja e obligimeve prindërore është ende e ndikuar shumë edhe nga paradigma shoqërore.