Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Vesel Makolli, sot mori pjesë në përurimin e renovimeve të ambienteve në Institutin Special në Shtime.
Në emër të ministrit të MPMS-së, Skender Reçica, Makolli ka falënderuar të gjithë ata që në mënyra të ndryshme kujdesen për mirëqenien e rezidentëve të këtij Instituti, e në veçanti Bankën e Re të Lubjanës (NLB), ku falë donacioneve të saj, ky investim tashmë është bërë realitet.
“Kam kënaqësi që gjendem në këtë mes, për të përuruar këtë donacion gjegjësisht këto riparime, që janë bërë në ambientet e Institutit Special të Shtimes. Edhe pse MPMS ka linjën e veçantë buxhetore për këto institucione, këto donacione dhe ndihma janë shumë të mirëseardhura, duke u bazuar në gjendjen financiare që e kemi. Të ndihmosh këta persona në nevojë është respekt dhe nderim që i bëhet njerëzimit”, ka thënë ai.
Makolli ka shtuar sek jo ndihmë humane dhe njerëzore është edhe më e vlefshme, pasi që i jepet Institutit Special i cili përkujdeset 24 orë për personat në nevojë.
Në këtë institut ofrohet tretman dhe përkujdesje për 67 persona, prej të cilëve 23 nuk janë shtetas të Kosovës. Makolli ka përshëndetur edhe punën e palodhshme të personelit të cilët kujdesen për këta njerëz, jo vetëm përkujdesje shëndetësore, por brenda mundësive u krijohet edhe një atmosferë e këndshme me ndjesi të rrethit familjar.
Zëvendësministri Makolli ka uruar banorët për vitin që po hymë 2019, duke ju dëshiruar një vit më të mirë, ndërsa problemet, hallet dhe energjitë negative t’i mbeten vitit që po e lëmë.
Rezidentët dhe personelin që përkujdesen për banorët i ka përshëndetur edhe përfaqësuesi i NLB-së, Agim Hasani. Ai është shprehu i lumtur që NLB ka bërë diçka të mirë për këta njerëz. “Shpresojmë që ky donacion nuk do të jetë i fundit, andaj ndjehem mjaft mirë që ky investim modest do të kontribuojë sadopak në përmirësimin e jetës së rezidentëve të këtij instituti” është shprehur Hasani.
Për donacionin dhe përfundimin me sukses të punimeve ka përshëndetur dhe falënderuar edhe drejtori i Institutit Special në Shtime, Xhemajl Dugolli.