Ferizaj, më 28 shtator 2018
Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale sot ka vizituar disa kompani të sektorit privat në Ferizaj. Në cilësinë e kryesuesit të Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, ai sot u njoh nga afër me sigurinë dhe kushtet e punës që këto kompani ofrojnë për punëtorët.
Dukolli i shoqëruar nga anëtarët e Këshillit ka vizituar kompaninë ndërtimore ‘Vahidi’ e cila ka të punësuar 17 punëtorë, si dhe fabrikën e prodhimeve të drurit ‘Kosova Model’, me pronar Milaim Sopaj, e cila ka rreth 37 punëtorë.
Gjatë vizitës në vend punishtet e këtyre kompanive, KNSSHP u interesua për kushtet e sigurisë, pajisjet e punës dhe zbatimin e masave parandaluese për të evituar lëndimet në punë. Me këtë rast zëvendësministri Dukolli, apeloi tek punëdhënësit që të rrisin masat e sigurisë, jo vetëm për hir të ligjeve e rregulloreve, por më shumë për faktin se jetët e njerëzve janë më të shtrenjta dhe më të çmueshme se çdo përfitim tjetër material.
Po ashtu ai mori premtime nga pronarët e kompanive se do të zbatojnë me përpikëri ligjet, këshillat dhe udhëzimet që shkojnë në dobi të mbrojtjes së shëndetit dhe jetëve të punëtorëve.
Këshilli Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, do të vazhdojë edhe më tutje të vizitojë dhe monitorojë kompani dhe industri tjera, për të parë nga afër zbatimin e legjislacionit për siguri dhe shëndet në punë, jo vetëm për të afirmuar domosdoshmërinë e mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve, por edhe për të shkëmbyer ide dhe përvoja me kompani të ndryshme në funksion të maksimalizimit të sigurisë në punë.