Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin Dukolli, mori pjesë sot tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Qeverisje Lokale dhe Fondacioni Fridrich Ebert Stiftung, me temën “Mekanizmat institucional për mbrojtjen e punëtorëve”.
Me këtë rast zëvendësministri Dukolli, tha se duke pasur parasysh aktualitetin me të cilin ballafaqohet Kosova, është shumë e rëndësishme se Kosova ka krijuar bazën legjislative dhe aktet nënligjore që i japin zgjidhje kësaj problematike, gjegjësisht mbrojtjen institucionale të punëtorëve në vendet e tyre të punës. Ai ka nënvizuar se përveç Inspektoratit të Punës si mekanizëm ekzekutiv, tashmë është në funksion të plotë edhe Këshilli Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, i cili ka marrë angazhimet e nevojshme në funksion të adresimit të çështjeve konkrete sa i përket sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve në vendpunishtet anembanë vendit.
“Si MPMS aktualisht jemi në reformim të legjislacionit. Vetëm t’ua bëj me dije për informimin tuaj se Projektligji i Inspektoratit të Punës është në procedurë dhe ndodhet mes dy leximeve në Parlamentin e Kosovës. Projektligji i Punës ka kaluar fazën e konsultimeve publike, ndërsa komisioni profesional po inkorporon komentet dhe qeveria me këtë projektligj do të procedojë deri në fund të muajit nëntor. Marrëveshja e përgjithshme e Kontratës Kolektive, tashmë është duke u negociuar mes partnerëve social, ndërsa komisioni profesional ia ka rekomanduar KES-it për miratim draftin e kësaj marrëveshje”, tha Dukolli.
Ai ka shtuar se përtej një marrëveshjeje kolektive në mes të partnerëve social në nivel vendi, ideja është që të nxisim dialogun social në nivel të sektorëve dhe ndërmarrjeve, duke ju referuar specifikave që kanë sektorët: qoftë arsimi, shëndetësia, prodhimi, shërbimet, tregtia etj. “ Po ashtu jemi duke punuar edhe në reformimin e legjislacionit të sistemit pensional, jemi në fazën e hartimit të koncept dokumenteve dhe po shohim mundësitë që këtë çështje ta fusim në politikat e reja pensionale”, ka potencuar zëvendësministri Dukolli.
Përkundër angazhimeve institucionale dhe partnerëve relevant në funksion të zbatimit të ligjit, Dukolli nënvizoi se ende nuk jemi në nivelin e duhur dhe për këtë MPMS po merr angazhime shtesë në të gjitha drejtimet edhe ligjore edhe ekzekutive. “Këtë vit MPMS, respektivisht Inspektorati i Punës ka realizuar tri fushata inspektive, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë. Gjithashtu kemi realizuar dy fushata vetëdijësuese që kanë trajtuar ekskluzivisht marrëdhënien e punës, sigurinë dhe shëndetin në punë”.
“KNSSHP në vazhdimësi ka analizuar çështjen e sigurisë në punë, rastet e aksidenteve që po ndodhin. Si rezultat i vizitave në terren në të dy sektorët, janë identifikuar sektorët me rrezikshmërinë më të lartë në vendet e punës, si: ndërtimtaria, pasuar nga energjetika, shërbimet, tregtia etj”.
Edhe pse të dhënat e raportuara në Kosovë janë të ngjashme me ato nga regjioni, zëvendësministri Dukolli tha se për MPMS-në, punëdhënësit tanë dhe shoqërinë tonë në përgjithësi, respektimi i plotë i kontratës së punës, siguria dhe shëndeti në punë dhe minimalizimi i informalitetit, mbeten çdoherë bazë e angazhimeve tona. “Në këtë kuptim ftojmë të gjithë që të kontribuojnë në këtë drejtim, ngase pjesë implementuese e ligjit jemi të gjithë, punëdhënës e punëtorë, ndërsa përgjegjësinë e mbikëqyrjes e ka shteti, në këtë rast Inspektorati i Punës”. Ndërkaq sa i përket numrit të inspektorëve të punës, për çka MPMS gjithnjë është gjendur në vëmendjen e kritikave të sindikatave dhe shoqërisë civile, Dukolli para pjesëmarrësve të kësaj tryeze tha se gjatë vitit 2019, do të kemi edhe 15 inspektorë shtesë të punës dhe kjo do të rrisë efikasitetin e punës në teren.
Në këtë konferencë veç shumë çështjeve që ndërlidhen me sigurinë në punë, u fol edhe për investimet që po realizohen përmes autoriteteve kontraktuese institucionale, për të cilat u kërkuar që të vendosen parametra tek përfituesit e kontratave, gjithnjë në funksion të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë në punë.