Prishtinë, më 19 dhjetor 2018
Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin Dukolli, mori pjesë në tryezën e organizuar nga KDI, për projektligjin e Inspektoratit të Punës. Me këtë rast sot u prezantua edhe hulumtimi parlamentar i i përgatitur nga Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale nga Kuvendi i Kosovës.
Në këtë tryezë merrnin pjesë, deputetët nga Kuvendi i Kosovës, MPMS, Sindikatat, anëtarë të shumtë nga shoqëria civile dhe media.
Zëvendësministri Dukolli falënderoi grupin punues të MPMS-së, kryesuesen e Komisionit Funksional të Kuvendit, znj Besa Baftiu, deputetin Bekim Haxhiu, sindikatat, si dhe shoqërinë civile për kontributin e dhënë në hartimin e këtij dokumenti. “Ne si MPMS konsiderojmë, që një dokument i tillë përmbush të gjitha pritjet, për çështjet që trajton ky projektligj në kuptimin e plotë. Gjithsesi jemi këtu për të debatuar dhe marrë në konsideratë të gjitha komentet dhe kontributet që mund të vijnë, në mënyrë që ky ligj të arrijë qëllimin për fushën që rregullon”.
Dukolli ka potencuar se qëllimi i hartimit të këtij projektligji është reformimi i institucionit të Inspektoratit të Punës sipas standardeve ndërkombëtare të ILO-s dhe praktikave më të mira të vendeve të Bashkimit Evropian.
“Përmes këtij projektligji, synojmë të fuqizojmë dhe reformojmë Inspektoratin e Punës, i cili mandat kryesor ka mbikëqyrjen e zbatueshmërisë së legjislacionit dhe akteve tjera te cilat rregullojnë fushën e marrëdhënies së punës, dhe sigurisë e shëndetit në punë.
Dukolli ka nënvizuar se edhe pas hulumtimit të prezantuar sot në këtë tryezë nga z, Visar Rushiti, shihet qartë se ky projektligj i sponsorizuar nga MPMS, është pothuajse në përputhje të plotë me përvojat e vendeve evropiane.
Vlen të theksohet se prezantimi i z. Rushiti kishte për reference organizimin e Inspektoratit të Punës në shtatë vende evropiane si Sllovenia, Austria, Estonia, Lituania, Letonia dhe Danimarka.
Më tej z. Dukolli potencoi se do të bashkëpunojnë ngushtë me komisionin parlamentar funksional edhe në këtë fazë ku ndodhet projektligji, në mënyrë që në fund të kemi një ligj që do t jetë funksional dhe i zbatueshëm për të gjitha çështjet që i trajton.
Dukolli dhe deputetët nga komisioni parlamentar, iu përgjigjen shumë pyetjeve nga të pranishmit që kishin të bënin me përmbajtjen e këtij projektligji.