Zëvendësministri Dukolli merr pjesë në konferencën për mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin Dukolli mori sot pjesë në konferencën, “Drejt një sistemi më të fortë shëndetësor lokal për të përkrahur mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijës”.
Ky projekt  është organizim i përbashkët i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë  dhe Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.
Zëvendësministri Dukolli tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm dhe këtu shprehu gatishmërinë e MPMS-së që të kontribuojë për mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Kosovës, fëmijëve në veçanti.
Dukolli bëri të ditur se MPMS ka përgatitur infrastrukturën ligjore për mbështetjen e  familjeve dhe personave me nevojave sociale si dhe janë kompletuar standardet minimale për ofrimin e shërbimeve sociale e familjare në Kosovë.
Këtu ai foli rreth rëndësisë së vizitave të personelit shëndetësor nëpër shtëpi, për fëmijën dhe familjen, si një hap që mbi të gjitha ndihmon edhe në identifikimin e fëmijëve të abuzuar dhe të lënë pas dore, apo atyre në rrezik për t’u braktisur nga prindërit ose kujdestarët e tyre.
Programi i vizitave aktualisht po realizohet në nëntë komuna si në Prizren, Ferizaj, Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë, Dragash, Fushë Kosovë, Obiliq e Lipjan dhe përveç kësaj, zëvendësministri Dukolli tha se MPMS do të bashkëpunojë me shërbimet shëndetësore duke ju ofruar të dhëna për të gjitha ato familje që kanë nevojë për shërbime të tilla.