Malishevë, më 20 tetor 2018
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Fatmir Limaj dhe zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin Dukolli, inauguruan sot fillimin e punimeve të objektit për banim social në Malishevë. Në vënien e gurthemelit të këtij objekti mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.
Me këtët rast zëvendësminstri Dukolli, tha se ky investim i MPMS-së, është bazuar me nevojat dhe gjendjen sociale të kësaj ane, projekt i cili do të ndikojë sadopak në zgjidhjen e çështjes së banimit për ato familje që kanë më së shumti nevojë. “Ky projekt modest i Ministrisë së Punës tregon qartë përkushtimin tonë që të jemi sa më afër zgjidhjes së problemeve jetike të qytetarëve tanë. MPMS edhe në të ardhmen do të vazhdojë të kontribuojë në mirëqenien sociale të qytetarëve edhe me projekte tjera brenda mundësive buxhetore, ku përtej obligimeve ligjore prioriteti ynë mbetet gjithnjë mirëqenia sociale e qytetarëve tanë”.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, ka përshëndetur fillimin e punimeve duke shtuar se ky projekt është një kontribut i çmuar në zgjidhjen e çështjes së të pastrehëve, duke shtuar se ky objekt është shumë i rëndësishëm dhe është lajmi më i mirë për familjet në nevojë.
Për fillimin e punimeve në këtë objekt, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka falënderuar MPMS-në dhë zëvendësministrin Çerkin Dukolli në veçanti, për kontributin dhe angazhimin, që edhe Komuna e Malishevës të ketë një investim të tillë, i cili do të zbusë sadopak problemin e çështjes së banimit.
MPMS për këtë projekt do të investojë 600 mijë euro, ndërsa komuna do të participojë me 100 mijë euro. Sipas dinamikës së planifikuar dhe premtimeve të punëkryesit projekti i banimit social në Komunën e Malishevës do të jetë i gatshëm për banorët më 30 tetor 2019.
Në ceremoninë vënies së gurëthemelit morën pjesë, po ashtu deputetë të kësaj ane Haxhi Shala, Enver Hoti, zëvendësministri i MKRS-së, z.Rexhep Mazreku, zëvendësministri i MBPZHR-së, Vesel Krasniqi, dhe zëvendësministrja e MTI-së, Arbëreshë Krasniqi dhe zyrtarë tjerë nga niveli qendror dhe lokal.