Ministri Reçica priti në takim një delegacion të Katarit

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica priti në takim një delegacion të Katarit, të kryesuar nga Ibrahim bin Abdullah Al Dhaimi, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rregullator për Aktivitetet Bamirëse të Katarit, me të cilin bisedoi rreth bashkëpunimeve mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Katarit.

Ministri Reçica tha se Qeveria e Kosovës është mirënjohëse ndaj shtetit të Katarit për ndihmën që ka ofruar për Kosovën në fusha të ndryshme dhe se është e rëndësishme që të thellohet edhe më tutje ky bashkëpunim, sidomos në fushën sociale dhe të punësimit.

Ibrahim bin Abdullah Al Dhaimi tha se Katari është i interesuar të ndihmojë Kosovën, posaçërisht në fushën e punësimit, nëpërmjet një marrëveshje ndërshtetërore për punësim sezonal.

Të dy u dakorduan për koordinim të veprimeve mes Kosovës e Katarit në konkretizimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit bilateral nëpërmjet projekteve konkrete.