Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Arban Abrashi, së bashku me kryetarin e Komunës së Podujevës z. Agim Veliu kanë vënë gurthemelin e Qendrës për Aftësime Profesionale në komunën e Podujevës, objekt ky i pari i kësaj natyre në këtë komunë.
Ky objekt pas përfundimit të punëve teknike, do t’iu mundësojë personave të papunë trajnimin dhe aftësimin e tyre sipas nevojave të tregut të punës në Komunën e Podujevës. Gjithashtu do të ofrojë shërbime tjera të natyrës administrative si psh. këshillime, ndërmjetësime në punë etj.
Tri profesionet që do të ofrohen si trajnime janë: IT, rrobaqepësi dhe parukeri.
Vlera financiare e këti projekti është 149,613.91 Euro me gjithsejtë 650 metra katror dhe pritet të përfundoj pas 5 muajsh, marrë parasysh edhe procedurat tenderuese.
Një projekt i tillë ka qenë nevojë e domosdoshme për një komunë me një popullësi prej afro 89 mijë banorësh dhe me specifika të tregut të punës çfarë është Komuna e Podujevës.
Gjatë kësaj ceremonie të vënies së gurthemelit, ministri Abrashi u zotua se MPMS do të vazhdojë edhe në të ardhmen me projekte tjera për komunën e Podujevës, të cilat do të kenë ndikim pozitiv për mirëqenien e qytetarëve të Komunës së Podujevës.