Nën drejtimin e ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, u mbajt takimi i parë joformal dhe njoftues me Komisionin për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Pas 18 vitesh mohim dhe injorim, më në fund u themelua ky komision i cili do të shqyrtojë aplikacionet e personave të dhunuar gjatë luftës për të ofruar një dëmshpërblim i cili edhe pse nuk do të jetë drejtësi e vënë në vend, do të jetë një njohje dhe pranim i kësaj kategorie të qytetarëve tanë, theksoi Abrashi.
Në këtë drejtim, ministri Abrashi kërkoi nga anëtarët e Komisionit dhe OJQ-të e angazhuara që të punojnë në identifikimin e linjave orientuese buxhetore dhe të dalin me një rekomandim për të për sa i përket lartësisë së shumës së kompensimit për të gjithë personat e dhunuar gjatë luftës.
Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës u themelua me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 28 prill 2017.
Përveç anëtarëve të komisionit, në takim ishin prezent edhe OJQ-të e certifikuara nga MPMS, të cilat do t’i ndihmojnë personat e dhunuar në procesin e tyre të aplikimit.
Komisioni u dakordua që të dalë me një sërë rekomandimesh për MPMS-në dhe ministrin Abrashi, përveç shumës së kompensimit për personat e dhunuar, në mënyrë që të përmbyllen të gjitha obligimet ligjore dhe institucionale që ky proces mos të pengohet nga zgjedhjet apo vakumi institucional.