Sot ministri i MPMS-së, z. Arban Abrashi, ka pritur në një takim kryetarin e Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, z. Fadil Shurdhaj dhe sekretarin e shoqatës, z. Enver Krasniqi. Gjatë takimit është diskutuar lidhur me procesin e aplikimit dhe për formimin e Komisionit Mjekësor për Përcaktimin e Shkallës së Invaliditetit.
Ministri Abrashi i siguroi përfaqësuesit e SHIL për bashkëpunim korrekt gjatë gjithë procesit dhe i njoftoi ata për hapat që i ka ndërmarrë ministria në këtë drejtim. Gjithashtu, ministri Abrashi, i njoftoi përfaqësuesit e SHIL se gjatë javës së ardhshme do të ketë konsultime me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe me Ministrinë e Financave lidhur me këtë çështje.
Kryetari i SHIL, z. Fadil Shurdhaj, e falënderoi ministrin Abrashi për bashkëpunim dhe e njoftoi atë se gjatë javës së ardhme komisioni qeveritar pritet të finalizojë listën e invalidëve të luftës, të cilëve do t’u njihet statusi i invalidit të luftës. Finalizimi i listës vlerësohet si moment kyç pas së cilës do të vazhdohet me themelimin e Komisionit Mjekësor për Përcaktimin e Shkallës së Invaliditetit dhe procedurave tjera për fillimin e pagesave.