Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, me ftesë të Presidencës së BE-së dhe Komisionit Evropian po merrë pjesë në EU-konferencën ministrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Luksemburg, e cila po organizohet nga treshja e Presidencës së BE-së, ajo aktuale Rumune, e Finlandës dhe e Kroacisë, së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për punësim dhe çështje sociale.
Ministri Reçica në këtë konferencë paraqiti sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova, si papunësia e lartë, mospërputhja e aftësive profesionale të fuqisë punëtore me nevojat e tregut të punës, zhvillimi i ulët ekonomik, si dhe investimet e huaja të pakta.
“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të avancojë me reformat e nevojshme, me qëllim të krijimit të më shumë vendeve të punës, të nxitë investimet e huaja, të ketë koordinim më të mirë në mes të institucioneve të vendit për edukim dhe aftësim profesional, për krijimin e kuadrove profesionale me aftësitë dhe shkathtësitë e kërkuara”, tha ministri.
Reçica shtoi se Plani i Punësimit të të rinjëve dhe Strategjia Sektoriale e MPMS-së, janë dy dokumente strategjike të Qeverisë së Kosovës, të cilat adresojnë qartë këto sfida, si rritja e punësueshmërisë, ulja e inaktivitetit, arsimi dhe aftësimi profesional, janë objektiva dhe prioritete të cilat janë vendosur të arrihen me këto dokumente.
Nga Presidenca, kjo konferencë u konsiderua si historike, sepse për herë të parë organizohet një konferencë e tillë në nivel më të lartë politik, në atë ministror dhe pikërisht kjo i jep rëndësi konferencës, sepse punësimi dhe çështjet sociale kërkojnë vendimmarrje dhe përkushtim nga akterët më të lartë qeveritar.
Vendet e Ballkanit Perëndimor aspirojnë për t’u integruar në Bashkimin Evropian, andaj duhet bërë reforma të nevojshme dhe përpjekje që të arrijnë këtë qëllim, të krijojnë kushte punësimi për vendin dhe njëkohësisht të anëtarësohen në BE.