Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica po qëndron në Riga të Letonisë, me ftesë së Ministrisë së Mirëqenies të këtij shteti, përkatësisht ministres Ramona Petraviča.
Gjatë kësaj vizite, ministri Reçica u prit në një takim bilateral nga Petraviça me të cilën diskutoi për përvojat në të cilat ka kaluar ky shtet i BE-së në menaxhimin e sistemit pensional, shërbimeve sociale, sigurimeve sociale, trajtimit të personave me aftësi të kufizuara, politikave të punësimit, si dhe sigurisë e shëndetit në punë.
Mes tjerash, në veçanti u diskutua për përvojat që Letonia ka kaluar gjatë procesit të integrimit evropian, përvoja këto që pas dakordimit të të dy ministrave, do të barten mes grupeve punuese dhe ekspertëve që do të vendosin marrëdhënie bashkëpunimi mes ministrive tona.
Ministri Reçica e falënderoi homologen e tij për gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe e vlerësoi si shumë të rëndësishme inkorporimin e përvojave të Letonisë nga ana e Kosovës, në çështjet për të cilat u diskutua gjatë takimit.