Në kuadër të Javës Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, bashkë me kryeinspektorin e Inspektoratit Punës, Ekrem Kastrati, kanë vizituar sot një nga kantieret e ndërtimit të lartë në kryeqytet, ku dhe kanë biseduar nga afër me punëdhënës dhe punëmarrës, për të parë nivelin e respektimit të masave të sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës.
Ministri Reçica, ka thënë se do vazhdojmë që çdo ditë të jemi pranë secilit punëtor në vendin tonë, për të parë se sa po respektohen të drejtat e tyre dhe sa po punohet në zbatimin e masave për të mbrojtur jetën e tyre. Ne do të vazhdojmë të jemi të pa kompromis ndaj gjithë atyre që nuk respektojnë këto masa, ka thënë ministri Reçica.
Ministri Reçica, ka thënë se, duhet vlerësuar progresin e arritur deri më tani lidhur me sigurinë dhe shëndetin në punë, pavarësisht që nuk kemi arritur aty ku ne dëshirojmë. Gjithashtu, ai theksoi se, në krahasim me të kaluarën, ne tashmë kemi më pak raste me lëndime të rënda dhe të lehta, si dhe më e rëndësishmja është që numri i atyre që kanë humbur jetën këtë vit, gjatë aktivitetit në vendin e punës është më i vogël, më ç’ rast edhe ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta gjithë atyre që kanë humbur më të dashurit e tyre.
“Me një përkushtim dhe angazhim të përbashkët besoj që do të arrijmë progres, në mënyrë që punëtori të ndihet më i sigurt në vendin e punës dhe punëdhënësi gjithashtu në kryerjen e veprimtarisë së vet, si biznes”, ka thënë në fund të fjalës së tij, ministri Skender Reçica.