Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, sot mori pjesë në prezantimin e Barometrit të Tregut të Punës në Kosovë, organizuar në kuadër të projektit “Harmonizimi i Arsimit dhe i Aftësimit me Nevojat e Tregut të Punës – ALLED Faza II”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancuar nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADC), dhe që zbatohet nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA), të cilët edhe i ka falënderuar për kontributin e tyre edhe në këto rrethana të vështira pandemike.
“Është fakt që, pandemia e ka venë në vështirësi tregun e punës dhe punësimin në Kosovë, mirëpo këtë situatë synojmë ta zbusim sado pak përmes Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili do të ndihmojë me mbështetje financiare një numër të madh të punonjësve të cilët kanë humbur vendin e punës, ku ne si Ministri e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përmes pikës 3 të Planit për Rimëkëmbje Ekonomike, kemi për objektiv subvencionimin në pagë të rreth 2,000 punonjësve dhe gjithashtu do të vazhdojmë me masa aktive të tregut të punës, si dhe trajnime dhe aftësime profesionale”, ka thënë ministri Reçica.
Reçica gjithashtu ka thënë se, problemi kryesor i tregut të punës në Kosovë është mospërputhshmëria e aftësive profesionale me nevojat e fuqisë punëtore të kërkuara nga tregu i punës, ku ne si MPMS/Agjenci e Punësimit kemi mbyllur disa herë vitin me kërkesën për të mbuluar mijëra vende pune, ndërkaq në regjistrin e punëkërkueseve kemi rreth 200,000 punëkërkues. Prandaj, ai tha se, si Qeveri e Kosovës ne duhet të koordinohemi të gjejmë zgjidhjen e papunësisë në Kosovë, fillimisht të trajtojmë numrin e punëkërkuesve të regjistruar me një plan të veçantë dhe pastaj të krijojmë politika të edukimit bazuar në nevojat e tregut të punës, gjithashtu të fuqizojmë shkollat e aftësimit profesional.
Ministri Reçica në fund të fjalës së tij gjatë këtij prezantimit, ka thënë se, ne si MPMS jemi tejet të përkushtuar të avancojmë dixhitalizimin e proceseve të punës, ofrimin e shërbimeve publike të punësimit gjithashtu shërbimet e trajnimeve profesionale, por gjithsesi na duhet koordinim më i gjerë i të gjitha institucioneve por edhe sektorit privat, me qëllim që këto aftësime profesionale të jenë në bashkërendim me nevojat e bizneseve.